Paga mesatare në Kosovë – më e ulëta në Evropë

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.

Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, thotë për Radion Evropa e Lirë se paga mesatare në sektorin publik nga viti 2007 deri në vitin 2011 është rritur për 169 euro (84 për qind).

Njohësit e çështjeve ekonomike kanë kërkuar që paga të caktohet në bazë të nivelit të çmimeve, sepse në Kosovë, proporcioni mes nivelit të çmimeve dhe pagave është shumë i lartë. Ata kanë theksuar se pagat mesatare në Kosovë janë të nivelit të ulët, madje nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme.

Krahasuar me vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, apo Mali i Zi, sipas drejtorit të Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa, Kosova ka pagën mesatare më të voglën në rajon.

Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, pagat në sektorin publik ishin rritur në vitin 2011. Sipas këtij vendimi, i cili kishte hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2011, punonjësit në sektorin publik kanë filluar të marrin paga me ngritje nga 30 deri në 50 për qind.

Drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se pas kësaj rritjeje të pagave në sektorin publik, kishte pasur ngritje të çmimeve të konsumit dhe një mori vendime të Qeverisë së Kosovës, të cilat kishin ndikuar që kjo pagë mesatare mos të reflektojë në rritjen e fuqisë blerëse.

Po ashtu, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili është aprovuar në vitin 2008, sipas Demit, favorizon ata që kanë paga më të larta, kurse i ngarkon ata që kanë paga më të ulëta. Po ashtu, ai thekson se jo gjithçka varet edhe nga politikat qeveritare, për shkak se Kosova ka një ekonomi të hapur dhe një deficit të lartë tregtar dhe çdo lëvizje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndikon në ngritjen e çmimeve në Kosovë.

“Krejt kjo bën që ky nivel i pagës të jetë shumë i ulët dhe të mos e mbulojë as koston elementare të jetës në Kosovë”, thotë Demi.

Ndryshe, të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se shporta e konsumit u shtrenjtua për rreth 3 për qind në muajin janar, në krahasim me fillimin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me dhjetorin, artikujt e nevojshëm të konsumit u shtrenjtuan për 0.7 për qind.


Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Zemra.org

Tags: , , ,

Komenti juaj:

VEREJTJE: Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet, ne te kundert, komenti nuk do te publikohet. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Zemra.Org!

*
*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.