LajmeMaqedonia

Për tre ditë regjistrohen 100 mijë persona

Sipas të dhënave interne të Komisionit Shtetëror për Regjistrim, në tre ditët e para të procesit janë regjistruar rreth 100 mijë persona. Ndërkaq në ditët në vazhdim pritet që kjo shifër të rritet më shumë, pasi edhe problemet teknike të shfaqura gjatë ditëve të para po evitohen për çdo ditë.

Për shkak të këtyre problemeve, Qeveria e Maqedonisë është treguar e gatshme që ta vazhdojë procesin e regjistrimit të popullsisë edhe për disa ditë, me qëllimin e vetëm që ai të realizohet me sukses.  Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi tha se nëse paraqitet nevoja e shtyrjes së këtij procesi nga 15 në 30 ditë atëherë ky opsion do të shqyrtohet me seriozitet nga Komisioni Shtetëror për Regjistrim dhe nga qeveria.

“Procesi i regjistrimit në terren po përcillet me probleme të karakterit teknik. Këto probleme po raportohen në mënyra të ndryshme nga regjistruesit por edhe nga vetë qytetarët. Pikërisht si rezultat i këtyre problemeve po qe se shtrohet nevoja e shtyrjes së këtij procesi nga 15 në 30 ditë atëherë ky opsion do të shqyrtohet me seriozitet nga KSHR-ja por edhe nga qeveria”, tha Xhaferi.

Pak ditë më parë edhe nën kryetari i KSHR-së, Bujar Osmani nuk e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të procesit. Nga Komisioni Shtetëror për Regjistrim sqarojnë se në ditën e dhjetë të regjistrimit do të vendosin nëse ka nevojë që procesi të vazhdojë, apo të përfundojë në afatin e paraparë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë po vazhdon, edhe pse akoma ka rajone ku nuk është plotësuar numri i regjistruesve.  Në Ohër dhe në Manastir mungojnë regjistrues shqiptar, në Likovë regjistrues serb, në Tetovë regjistrues shqiptar dhe serb.

Regjistrimi i popullsisë po realizohet nga Enti Shtetëror për Statistikë në bashkëpunim me Komisionin shtetëror për Regjistrim dhe monitorohet nga EUROSTAT. Në këtë proces janë angazhuar rreth 20 mijë persona, ndërsa janë ndarë rreth 15 milionë euro.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button