LajmeMaqedoniaPolitika

Pesë gënjeshtra për një mandat

“Do hapim vendkalime kufitare”, “Do të ndërtojmë rrugën për në kufi”, “Do të sjellim ujë të pijshëm”, “Do ndërtojmë infrastrukturë”, “Do të  bëjmë punësime”. Këto janë pesë premtimet kryesorë të cilat që 20 vjet partitë politikë shqiptare ia bëjnë në çdo fushatë elektorale banorëve të rajonit të Likovës dhe Kumanovës. Ky rajon i cili më  së shumti u prek nga kriza e luftës, ka 10-të vjet që s’po e merr dot veten. Të lënë nën mëshirën e fatit, banorët e kësaj zone takohen me politikanët vetëm gjatë fushatave elektorale. Ata thonë se u ka ardhur në majë të hundës nga premtimet boshe që ua bëjnë partitë në çdo fushatë elektorale. “Jo, jo, nuk u besojmë më politikanëve. Sa herë vijnë këtu na i japin të njëjtat premtime, por menjëherë pas zgjedhjeve ata i harrojnë fjalët që kanë thënë”, thotë, Sevdail M., banor i kësaj zone. Po ashtu, edhe Enver I. ndan të njëjtin mendim. “A nuk e shihni se na kanë harruar të gjithë. A s’po e shihni se të gjithë po ikin. Po të ishte mirë do të rrinim këtu”, thotë ai.
Analisti Qani Aliu thotë se kjo zonë ka mbet si zonë qorre e Maqedonisë. “Një degradim në zhvillimin e përgjithshëm ka sjellë edhe lufta e vitit 2001, ku një pjesë  e kapitalit të njerëzve është shkatërruar. Në vend që të ngrihet standardi, faktikisht situate është kthyer mbrapa si para luftës së  vitit 2001”, thotë Aliu, duke shtuar se pas përfundimit të luftës është dashur që i gjithë potenciali ekonomik të përqendrohej në këtë zonë. “Është dash që të që investohej shumë,  të bëhej rehabilitimi i njerëzve, i situatës së përgjithshme. Premtimet kanë qenë gjithnjë, sidomos pas vitit 2001, por fatkeqësisht situate është ajo që duket tash”, thotë Aliu, duke shtuar se ky rajon është lënë në harresë. Aliu thotë se pjesa maqedonase hakmerret dhe me qëllim nuk lejon asnjë investim, mirëpo, siç thotë ai, një pjesë të mirë të fajit e kanë edhe politikanët shqiptarë pasi nuk kanë këmbëngul që aty të investohet. “Tashmë paraqitet edhe problemi i kërkimit të azilit, që nuk është i rastësishëm. Kjo është gjendja sociale e popullatës të kësaj zone, ku popullata e kësaj ane barazohet me Shutkën”, thotë ai, duke shtuar se zori i madh i ka detyruar këta njerëz që të marrin me vete gratë dhe fëmijët dhe të përzihen me njerëz të kontinenteve të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje edhe nderin familjar.
Rajoni i Likovës është një nga rajonet që u godit më së shumti nga lufta e vitit 2001, tashmë ky rajon është një nga rajonet më të varfra.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close