LajmeMaqedonia

Policët shqiptarë: “Jemi të gatshëm t’i shpartallojmë bandat e drogës në Haraçinë dhe Gërçec, kemi pengesa nga MPB”

Policë dhe inspektorë shqiptarë në Shkup thonë se janë të gatshëm të futen në Haraçinë dhe në Gërçec për të shpartalluar “bandat e drogës” në këto dy fshatra, por pengesë paraqesin lidhjet e ngushta të dilerëve lokalë me inspektorët maqedonas. Sipas këtyre policëve, inspektorët maqedonas por edhe persona të lartë në MPB, jo vetëm që mbrojnë bandat e drogës, por edhe shërbejnë si logjistikë për ta.

“Figura të larta të ministrisë së brendshme, kryeshefa e inspektorë të lartë janë mysafirë të rregullt në dasmat e ahengjet e dilerëve të drogës”.

Banorët e Haraçinës dhe Gërçecit me padurim presin intervenimin e policisë për t’i shpëtuar nga “bosët e drogës”, thuhet në një reportazh që ka përgatitur për këto dy fshatra Agjencia Shtetërore Telegrafike (ASHT). Ata janë të gëzuar që policia po ndërmerr aksione të shumta ku po arreston dilerët në të gjitha anët e Maqedonisë së Veriut, por habiten pse një gjë e tillë nuk ndodh edhe në fshatrat e tyre, që njihen si çerdhe të dilerëve.

“Në fshatin tonë droga kultivohet në ara me hektarë të tërë. A mendoni që policia nuk e sheh këtë?”, pyet një banor i këtij fshati, i cili vlerëson se kryetarja e re e komunës ka vullnet për të mbështetur luftën e policisë kundër strukturave kriminele.

Edhe gazetari maqedonas, Zoran Bozhinovski me një rast publikisht ka shkruar se dilerët e drogës nga Haraçina pijnë kafen e mëngjesit bashkë me inspektorët e policisë në hotel Karposh në Shkup. Policia me metodat e veta këtyre dilerëve ua siguron edhe statusin e “patriotit shqiptar”, për tua lehtësuar “biznesin”, por edhe për të krijuar imazh para opinionit ndërkombëtar se patriotizmi shqiptar dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve në Maqedoni kanë prapavijë kriminele.

“Dilerët shqiptarë të drogës në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm nga Haraçina e Gërçeci por edhe në viset tjera të Maqedonisë Perëndimore, kanë përkrahje institucionale të vazhdueshme, pa marë parasysh se cila parti maqedonase është në pushtet. Shteti maqedonas përkrah këto banda kryesisht përmes partisë vasale shqiptare që e ka nën kontroll, e cila de fakto funksionon si krah politik i organizatave kriminele”, shprehet Admir Çili, ekspert nga Tirana për antikrim dhe luftë kundër korrupsionit

Rritja e krimit me ndihmën e strukturave policore te shqiptarët e Maqedonisë së veriut ka filluar së fundmi të shqetësojë edhe Brukselin, ku ministri i brendshëm Oliver Spasovski konsiderohet ndër ministrat më të suksesshëm të qeverisë së kryeministrit Zaev, por edhe ndaj tij ekzistojnë vërejtje për tolerancën që tregon policia ndaj disa bandave shqiptare të drogës dhe kamatave në rrethinën e Shkupit.

“Kurse bandat nuk humbin kohë dhe nuk çajnë kokën fort se çka shkruajnë mediumet, deri sa policia u krijon teren për punë të papengueshme. Ato zgjerojnë ndikimin edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Në Shqipëri investojnë në resorte turistike, kurse në Kosovë në pompa të benzinës.

Përveç në MPB, ata shtojnë ndikimin e tyre duke avancuar klientët e vetë në pozita të larta në prokurori dhe në gjyqësi, por edhe në politikë”.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button