LajmeMaqedoniaPolitika

Premtohet zhvillim dhe ulje e varfërisë

Në programet ekonomike të partive politike pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për parti të pushtetit aktual apo të opozitës, premtohet gjithçka.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE premton realizimin e 1200 projekteve në ekonomi, uljen e tatimeve, uljen e numrit të të papunëve, si dhe caktimin e pagës minimale, e cila nga Sindikata kërkohet që të mos jetë më e ulët se 160 euro.
LSDM-ja opozitare ofron pensione për çdo person të moshës mbi 65 vjeç, pa marrë parasysh nëse plotëson ose jo kushtet për pension, uljen e tatimeve, të kamatave dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Premtime jep edhe partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila zotohet për ndërtimin e autostradave me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe hapjen e zonave të lira ekonomike edhe në vendet e banuara me shqiptarë.
Edhe Demokracia e Re premton 1 miliardë euro investime dhe 50 mijë vende të reja të punës.
Barabarësi ekonomike apo siç thonë marrjen e hises shqiptare në buxhetin e shtetit premtojnë edhe dy partitë tjera opozitare, Rilindja Demokratike Kombëtare dhe Partia Demokratike Shqiptare.
Por, të gjitha këto premtime vlerësohen si joreale nga ekspertët e ekonomisë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me uljen e tatimeve dhe rritjen e shpenzimeve për kategoritë sociale.
“Imagjinoni deklarimet e njërës apo palës tjetër se si në të njëjtën kohë do t’i rrisin rrogat, do t’i rrisin pensionet, do t’i rrisin shtesat sociale, që është paradoks për VMRO-DPMNE-në, por ajo po e premton se do t’i rrisë shtesat sociale dhe në të njëjtën kohë do t’i ulë edhe tatimet”.
“Si ka mundësi t’i rrisin shpenzimet, t’i ulin tatimet dhe deficitin ta mbajnë në ekuilibrin prej 3 për qind?! Pra, një formulë e tillë në ekonomi nuk është e njohur. Këta me të vërtetë janë parametra, indikatorë se premtimet e tilla janë tipike elektorale, për efekte ditore elektorale”, vlerëson Abylmenaf Bexheti, profesor i Ekonomisë.
Ndërsa, duke komentuar premtimet e partive për ngritjen e ekonomisë dhe uljen e varfërisë në vend, Nikolla Popovski, profesor dhe ish-ministër i Financave, thekson se partitë politike duhet të jenë serioze në prezantimin e ofertave ekonomike, ndërsa veçon ato që kanë të bëjnë me zotimet për uljen e tatimeve.
Partitë politike shqiptare ofertat e tyre ekonomike gjatë kësaj periudhe i kanë prezantuar edhe para Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore që mbulon vendbanimet shqiptare.
Drejtuesit e saj thonë se ofertat janë të mira, por duhet të bëhen pjesë e programit qeveritar dhe jo të ndodhë sikurse deri më tani që premtimet të mbesin vetëm në letër. Koalicioni i ardhshëm qeveritar që do të formohet mes partnerit shqiptar dhe atij maqedonas, duhet të bëhet në baza të barabarta dhe sa më parë të dilet me platformë të qartë që të mos ndodhë si në të kaluarën kur nuk përfilleshin kërkesat e biznesit shqiptar që janë anashkaluar thuajse në 20 vitet e shkuara”, thekson Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore.

zemraorg

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button