Familja e dëshmorit Shaban Zenuni – Hoxha nga fshati Merovë i komunës së Zhelinës është në gjendje të mjerueshme, andaj kërkon ndihmë financiare nga të gjithë personat humanë për të tejkaluar këtë gjendje.
Komandant Shaban Zenuni – Hoxha ka lënë tre djem, gruan, nënën e sëmurë, në shtëpi shumë të vjetër në një fshat të thellë malor. Edhe pse ishte një ndër ushtarët më të guximshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në rajonin e Tetovës, pas vrasjes së tij, familja ka mbetur pa kurrfarë përkujdesje.
Ai u lind në vitin 1974 në fshatin Merovë, Komuna e Zhelinës. U rrit si jetim dhe kaloi një fëmijëri të vështirë dhe pa ngrohtësinë atërore, sepse nga një fatkeqësi natyrore e humbi të atin që në moshën 5 vjeçare. I ati i Tij ishte imam i fshatit Merovë dhe një njeri i mrekullueshëm dhe me shumë autoritet në të gjithë zonën e fshatrave të Malit të Thatë dhe më gjerë.
Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje ai vazhdoi shkollën e mesme në Damask te Sirisë ku me sukses mbaroi institutin 6 vjeçar në Furkan. Për shkak të pamundësisë për të vazhduar studimet, ai u punësua si imam në fshatin e tij, Merovë.
Më 1998, për shkak të mospërballimit të kushteve të rënda ekonomike Shaban Zenuni – Hoxha detyrohet të merr rrugën e kurbetit për në Itali. Në vitin 2001 si shumë atdhetarë të tjerë iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së.
Duke parë shkathtësitë dhe vendosmërinë e Shaban Zenunit, Shtabi i Përgjithshëm e kishte caktuar Komandant të Batalionit 4 të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”.
Gjatë luftës së vitit 2001 Shaban Zenuni kishte treguar aftësi të jashtëzakonshme ushtarake të një eprori të vërtetë, andaj batalioni që ai e udhëhiqte Hoxha u shpall si batalionin më i suksesshëm në nivel të gjithë UÇK – së.
I pakënaqur me zhvillimet e pasluftës, pa amnisti dhe i akuzuar për gjëra që nuk i kishte bërë, detyrohet që përsëri të marrë rrugën e kurbetit. Nuk mund të vinte në shtëpinë e tij ku kishte nënën, gruan, tre djemtë, farefisin dhe shokët. Me guximin që kishte ai vinte fshehurazi, po e ndiqte hija e arrestimit për vepra që nuk i kishte bërë.
U vra në rrethana të panjohura më 12 maj 2010, në rastin e njohur afër fshatit Radushë, bashkë me Harun Aliun dhe dy të tjerë. Deri tani nuk është ndërmarrë asnjë masë për zbulimin e kësaj vrasje tinëzare, dhe askush nuk ka dhënë përgjigjeësi për këtë akt. Por jo vetëm kaq. Përderisa shumë persona pa asnjë meritë janë pasuruar në emër të luftës së UÇK-së, mungesa e kujdesit e ka sjellë familjen e Shaban Zenunit-Hoxhës në situatë për të luftuar për kafshatën e gojës.
Andaj të gjithë ata që dëshirojnë ta ndihmojnë familjen Zenuni, që tre djemtë e dëshmorit të vazhdojnë shkollimin dhe të mos ndjehen të braktisur, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me familjen në nr. e celularit: +389 75 972 906.
Nga frika se dikush mund të keqpërdorë bujarinë e njerëzve humanë, familja e dëshmorit Shaban Zenuni- Hoxha njofton se nuk ka autorizuar askënd, as ne vend dhe as në diasporë, për të grumbulluar ndihma në emër të tyre.