KosovaLajme

Spanja, qëndrim të hutuar ndaj Kosovës

Faqja e internetit Wikileaks vazhdon duke zbuluar materiale analitike të shkruara nga diplomatë amerikanë në botë, e në këtë rast një analizë dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit nga Ambasada Amerikane në Madrid, sjell edhe një risi të re rreth qasjes dhe përpjekjeve amerikane që ta bind Spanjën të mos e largojë kontingjentin e saj ushtarak të KFOR-it nga Kosova pas krijimit të shtetit kosovar.

Analiza është shkruar në maj të vitit 2007, e cila përmban një kapitull të veçantë me emrin ‘Kosova’, e cila tregon përpjekjet e diplomatëve amerikanë të akredituar në Madrid në takimet e tyre të drejtpërdrejta me Qeverinë spanjolle duke diskutuar çështjen e mbetjes së trupave te saj në Kosovë pas pavarësisë. Analiza është e veçuar “konfidenciale” pa të drejtë për qasje nga të huajt.

“Në Ballkan, ku trupat e saj kanë shërbyer për mbi 15 vite, Spanja ka treguar aftësinë për t’i mbajtur trupat e saj edhe për një kohë të gjatë. Megjithatë, ne tani duhet që të vazhdojmë me bindjen që ata t’i mbajnë trupat e tyre edhe në Kosovë. Për çështje të politikës së brendshme dhe frikës nga provokimi i Rusisë, Spanja ka qëndrim të hutuar në drejtimin e politikes së saj për Kosovën”.

“Përderisa të jetë një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që e autorizon Planin e Ahtisaarit, Spanja do t’i mbajë trupat e saj në KFOR. Nëse Kombet e Bashkuara dështojnë të arrijnë një marrëveshje me një rezolute të re, Qeveria e Spanjës ka thënë se do ta marrë në konsideratë në mënyrë serioze largimin e trupave të saj, por e ka theksuar që do ta bëjë një gjë të tillë vetëm në raste ekstreme apo në konsultim të hollësishëm me aleatët e saj në NATO”, thuhet në analizë.

Analiza diplomatike përfundon duke thënë se përpjekjet amerikane nuk duhet të pushojnë për ta bindur Spanjën që mos t’i largojë trupat e saj nga Kosova. “Ne duhet ta vazhdojmë presionin tonë, duke ia rikujtuar Qeverisë spanjolle që NATO ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe se ne nuk mund t’i lejojmë rusët të mbjellin përçarje ndërmjet SHBA-ve dhe Evropës në çështjet e tilla të rëndësishme”.

Tags
Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close