Sport

‘Kalaja’ mund të përsëritet në Tetovë

Fillimi i stinorit pranveror në elitën e futbollit vendor që është paraparë për fundjavën që vjen, ua prish rehatinë e muajve të fundit zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM).

Nga gjashtë ndeshje që janë në program të shtunën dhe të dielën FFM-ën më së shumti e brengos derbi që luhet në Tetovë ndërmjet rivalëve të përbetuar, Shkëndijës dhe Vardarit (e diel, ora 14:00). Dhe, pa një pa dy, komisari për gara pranë FFM-së, Mile Spirkoski supersfidën e javës së 19-të do ta shpallë me rrezik të lartë.

“Normale që kjo ndeshje do të shpallet ndeshje me rrezik të lartë. Edhe Shkëndija edhe Vardari kanë numër të madh të tifozëve dhe për këtë arsye ne duhet të jemi të kujdesshëm. Pra do të shpallet ndeshje me rrezik të lartë, sepse nuk dëshirojmë që pastaj faji të bie mbi ne “, tha për “Lajm” Spirkoski.

Ndërkohë, një burim i afërt u gazetës brenda FFM-së që ka dashur të mbetet anonim ka pohuar se nuk përjashtohet mundësia që sfida mes Shkëndijës dhe Vardarit edhe të anulohet.

“Nëse vërehet se do të ketë tensione para këtij takimi, atëherë kjo ndeshje mund të shtyhet për më vonë”, ka thënë shkurt burimi i gazetës.

Për kuqezinjtë e Tetovës ky veprim i FFM-së nuk është ndonjë risi, pasi që edhe në edicionin vjeshtor një ndeshje e tyre (ajo me Teteksin) ishte e shpallur me rrezik të lartë.

Shkëndija është kampione e vjeshtës me 35 pikë, e ndjekur nga Renova me 34, Rabotniçki 32 dhe Metalurgu 29 pikë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button