LajmeMaqedonia

Tre vite pritje për certifikatat e fëmijëve

Një ngjarje e pazakontë, por e vërtetë që ngjet vetëm në Maqedoni. Fejzulla Asllani nga Studeniçani, tashmë banues në lagjen “Hasan Beg” të Shkupit, ka tre vjet që ka aplikuar për certifikatat e katër fëmijëve që i ka regjistruar me vonesë (regjistrim ky që bëhet me dëshmitarë) dhe akoma nuk i ka marrë ato.

Ai ka më shumë se dy vjet që troket nga një derë në tjetrën, por më kot. “Më kanë thënë se janë gati që shtatë muaj, por nuk e di pse nuk po mi japin certifikatat e fëmijëve”, thotë ai duke rrëfyer ngjarjen.

Ka aplikuar për certifikatat e fëmijëve që më datë 12 nëntor të vitit 2008 dhe as më 28 shtator të vitit 2011 certifikatat nuk i merr dot. “Shkova në komunë, në zyrën e gjendjes civile, ata më thanë se janë gati, por duhet të shkosh ti marrësh vetë në stacionin e policisë pranë Radio Televizionit të  Maqedonisë. Atje më thanë se janë gati dhe duhet ti marr në sportelin numër 10. Ndërkaq në sportelin numër 10 më thanë se duhet të shkoj ti marr në stacionin policor në ‘Autokomandë’. Vajta dhe atje dhe policët më pritën shumë keq, ik që këtu, ne nuk japim certifikata”, tregon Asllani maratonën e vajtje ardhjeve nëpër dyert e institucioneve të shtetit. Nëpër këto dyer, Fejzulla Asllani nuk ka trokitur vetëm një herë, por me dhjetëra herë dhe që atje është kthyer duar bosh. Njëri i thotë se janë gati dhe janë të nënshkruara, tjetri i thotë nuk janë këtu shko e merri atje, dhe kështu ka vazhduar ping -pongu për vite me radhë. “Ky është diskriminim dhe ndodh vetëm në Maqedoni”, thotë ai. Në një nga vajtje ardhjet e tij në stacionin policor pranë Radio Televizionit të Maqedonisë, Asllani e ka pyetur njërin nga shefat e policisë se sa kohë duhet pritur për të marrë një certifikatë, duhen tre ditë, tre javë , tre muaj apo tre vjet. “Edhe ai vetë u habit kur i tregova dokumentin me të cilin vërtetohet se  kam aplikuar që para tre vjetëve”, thotë ai. Fëmijët e Fejzulla Asllanit mësojnë në shkollën fillore “25 maji” në Shkup, ku dhe ia kërkojnë certifikatat për të vijuar mësimin. Të mërkurën ai kërkoi ndihme edhe tek Avokati i Popullit, ku dhe i kanë premtuar se do ta ndjekin këtë çështje.

Box: Asllani: Në Austri certifikatën ma dhanë për një orë

 Fejzulla Asllani ka 14 fëmijë, dy prej të cilëve i kanë lindur në Austri, ku dhe ka pas punuar. “Në Austri certifikatën e fëmijës ma dhanë për një orë, ndërsa në Maqedoni ka tre vjet që trokas nga një derë në tjetrën dhe akoma nuk I kam marrë certifikatat e fëmijëve”, thotë ai.

Tags
Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close