KosovaLajmePolitika

Vetëvendosje: Projektrezoluta e rrezikshme

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike qëndrimet e saj lidhur me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet të martën. Në këtë seancë, të thirrur nga Grupi parlamentar i PDK-së, pritet të diskutohet dhe votohet një projektrezolutë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

“Lëvizja Vetëvendosje është për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë sikur që ishim kundër çfarëdo kufizimi ndaj pavarësisë sonë në vitin 2008. Ne kemi qenë dhe mbetemi për Republikën sovrane të Kosovës, kundër mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe kundër kushtëzimeve ndaj pavarësisë që vijnë nga Plani i Ahtisaarit. Rrjedhimisht jemi për fundin e mbikëqyrjes, e jo për këmbim të kësaj mbikëqyrjeje me formalizimin e strukturave të Serbisë brenda Kosovës dhe për betonimin e mbikëqyrjes së Serbisë përmbi Kosovë”.

“Ne e kemi kundërshtuar një rezolutë të tillë edhe si metodë edhe si përmbajtje. Aty thuhet se Kuvendi mirëpret përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, njëkohësisht duke kërkuar që Kosova ta ketë vendin e vet në bashkësinë e shteteve të pavarura të botës. Ne konsiderojmë që një kërkesë e tillë është e panevojshme meqenëse vet shpallja e pavarësisë do të duhej ta nënkuptonte këtë. Me ta shpallur Kosovën të pavarur, automatikisht institucionet e Republikës së Kosovës e kanë kërkuar një gjë të tillë”.

“Pika më problematike e tekstit të propozuar përmes kësaj rezolute, megjithatë, është ajo që kërkon nga Kuvendi të zotohet se do t’i përmbush të gjitha obligimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Rezoluta nuk saktëson se cilat do të jenë obligimet. Në këtë mënyrë kërkohet nga Kuvendi që të zotohet blanko për një proces me shumë të panjohura dhe shumë rreziqe”.

“Kjo madje, është dhe formë jo demokratike e të votuarit sepse kërkohet nga deputetët të zotohen se do të votojnë në favor të ligjeve për të cilat nuk e dinë se çka përmbajnë… Parlamentarizmi dhe demokracia përfaqësuese nuk mund të tkurret në tre – katër burra që shtrëngojnë duart…Kjo rezolutë është një tentim i hapur i qeverisë së Thaçit t’i mbulojë koncesionet që ai është gati t’i bëjë në negociatat me Serbinë, që kështu të kontrabandohet statusi i veçantë për veriun e vendit si çmim për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ne jemi për Republikën e Kosovës, të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë mes shteteve, dhe lirisë së pakushtëzuar”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button