Kronika e ZezeLajme

Aksidenti tragjik, fjalia e fundit e shoferit: Nuk mund të ndaloj dot!

Kur kanë kaluar disa orë nga aksidenti tragjik që i mori jetën 13 personave dhe la të plagosur 20 të tjerë kanë nisur edhe hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit.

Ekspertët janë fokusuar në dy drejtime për të hedhur dritë mbi shkakun e aksidentit fatal. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se shkaku më i mundshëm i ngjarjes së rëndë automobilistike është një defekt teknik i mjetit, në sistemin e drejtimit apo atë të frenimit, çka pritet të konfirmohet nga raporti i kontrollit auto-teknik.

Nuk përjashtohet edhe mundësia e një gjendje infarkti që mund të ketë drejtuesi i autobusit, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën.

Nga ana tjetër, studentët e mbijetuar thanë se në momentet e fundit, shoferi Pëllumb Çela tërë ankth ka ulëritur “ikëm, nuk mund ta ndaloj dot”, njofton BalkanWeb.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:15, ku autobusi me targa të Elbasanit që transportonte studentet e degës së Letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë të thellë 80 metra në qafën e Vishës në Himarë. Të parët që dhanë ndihmë për të shpëtuar studentet ishin udhëtarët e rastit, ndërsa pak minuta më vonë një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë transportoi dy studente, e më pas edhe të tjera më rëndë u transportuan drejt Spitalit Ushtarak me 8 helikopterë, për shkak të terrenit të vështirë.

Me kërkesë të kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave shpalli ditën e sotme, datën 22 maj, Ditë Zie Kombëtare, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në ku humbën jetën 12 studente. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se “Kryeministri Berisha në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.”

Sot në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.

Ministria e Brendshme ngarkohet të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.

Ndërsa, agjencia Noa njofton se në mesin e viktimave janë 11 vajza dhe 2 meshkuj. Denisa Guzi nga Gramshi; Ermira Mana nga Elbasani; Aurora Molla nga Pogradeci; Lindita Kabashi nga Elbasani; Joana Debinja nga Lushnja; Elsa Daka nga Elbasani; Juliana Tola nga Elbasani; Armand Halilaga nga Kavaja; Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani; Fabiola Shehi nga Bërxulla Tiranë; Eriola Xhoi nga Elbasani vazhdojnë procedurat e verifikimit me familjarët; Eranda Baloshi nga Elbasani; Dorina Stafa nga Kruja.

Ndërkaq, po mjekohen në Spitalin Ushtarak Tiranë: Kaltra Pollozhani, Alma Deda, Eranda Bato, Antoneta Taçe, Doriana Kumria, Anisa Çobaj, Shegushe Haka, Elsa Shtylla, Ifsjana Karriqi, Mirsie Biba, Besjana Dani, Briselda Gubere, Florije Peci, Blerina Çereni, Griselda Zeneli.

Në Spitalin e Vlorës po mjekohen: Elidona Gjinaj, Enkela Daja, Ticiana Hysa, Juliana Kuqi, Ergita Opingari, Adjola Musaka, Liri Hasa, Besjana Xheneti, Adisa Çela, Anisa Hysa.

Në gjendje të mirë në Spitalin e Himarës është Arta Ballabani.

Nga grupi i posaçëm hetimor vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close