LajmeMaqedonia

Erdoan mbështet Maqedoninë kundrejt Greqisë

Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdoan tha se Maqedonia ka të drejtë natyrore të përdorë emrin e saj, kurse kundërshtimin e Greqisë e vlerësoi të pakuptimtë.

“Ne e dimë se ju nuk mund të hiqni dorë nga e drejta për emrin tuaj që është e drejtë kushtetuese dhe shumë e natyrshme, prandaj ne këtë e mbështesim. Ndërsa qëndrimin e Greqisë e konsiderojmë si të pakuptimtë, dhe të padrejtë. Maqedonia pavarësinë e ka shpallur me këtë emër prandaj kjo duhet të respektohet dhe konsideroj se kjo është e drejta e natyrshme e gjithë popullit maqedonas”, tha Rexhep Taip Erdoan, kryeministër i Turqisë në ditën e parë të vizitës së tij në Maqedoni.

Erdoan vlerësoi se Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së para Turqisë, ndërsa premtoi mbështetje të fortë edhe për anëtarësimin e saj në NATO.

“Kishim një qëllim në planin ekonomik dhe tregtar, që këmbimi ynë tregtar të jetë 1 miliardë dollarë. Në vitin 2010 kjo shifër arriti në 310 milion dollarë, këtë vit, kjo shifër do të tejkalohet dhe do të arrijë deri në 400 milion dollarë. Megjithatë kjo shifër për dy vende mike duket e vogël dhe e njëjta duhet të rritet. Sektori privat turk, duhet ti rrisë investimet në Maqedoni, që ajo të jetë ndihmë dhe mbështetje për zhvillimin më të fortë”, tha Rexhep Taip Erdoan, kryeministër i Turqisë.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski u falënderua për qëndrimin konstruktiv që Turqia ka pasur ndaj Maqedonisë prej pavarësimit të saj.

“Edhe një herë iu falënderova për qëndrimin parimor dhe mbështetjen nga ana e Turqisë në planin e integrimit të Maqedonisë në NATO. Shpreh falënderimet nga ana e kombit tonë, për shtetin mik turk për respektimin dhe mbështetjen e të drejtave dhe interesave tona, për ruajtjen e identitetit tonë dhe emrit kushtetues Republika e Maqedonisë”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdoan takoi edhe presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, ndërsa pasdite edhe liderët e dy subjekteve politike shqiptare Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button