Sport

Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë

Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Kupën Botërore, që u mbajt në Bjellorusi. 10 pikët e rrëmbyera në Minsk ia sigurojnë edhe matematikisht xhudistes pejane pjesëmarrjen në Olimpiadën ‘Londra 2012’.

Majlinda Kelmendi po i radhit sukseset. Pas Romës, ku triumfoi javën e kaluar, xhudistja pejane ka shkëlqyer edhe në Kupën Botërore, që u mbajt të shtunën në Minsk të Bjellorusisë, ku u stolis me medalje të artë në kategorinë deri 52 kg.

Ky sukses ia solli Kelmendit 100 pikë të reja, të cilat ia sigurojnë asaj edhe matematikisht normën olimpike për ‘Londra 2012’. Me këtë rezultat, Majlinda është futur në mesin e tetë më të mirave në ranglistën olimpike.

“Me këtë sukses, Majlinda Kelmendi përfundimisht renditet në mesin e 14 xhudisteve më të mira në kategorinë deri 52 kg dhe matematikisht e siguron normën olimpike. Deri në fund të ciklit eliminator kanë mbetur edhe 10 gara, por nuk ka asnjë mundësi që Kelmendi të bjerë më poshtë se pozita e 14-të. 14 xhudistet më të mira në çdo kategori kualifikohen në Olimpiadë me normë”, ka thënë trajneri i Majlindës, Driton Kuka.

Në duelin e parë, 20 vjeçarja, e cila në këtë eveniment e përfaqësoi Shqipërinë, fitoi ndaj Turana Seyidin nga Azerbajxhani. Më pas, xhudistja pejane ishte më e mirë se Mariia Buiok e Ukrainës, ndërsa në gjysmëfinale e mposhti turken Aynur Samat.

Në finale, Kelmendi, e cila ditë më parë e fitoi Kupën Botërore, Kategoria A në Romë, dominoi plotësisht përballë italianes Rosalba Forciniti. Në kategorinë 52 kg u paraqitën gjithsej 20 garuese. Objektiv i Majlindës deri në fund të ciklit eliminator është ta ruajë një vend ndër 8 të parat, për shkak të shortit më të favorshëm që do t’i binte në Olimpiadë.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close