LajmeMaqedoniaPolitika

Veljanoski i shpalli zgjedhjet e parakohshme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Trajko Veljanoski sot e nënshkroi Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 5 qershor dhe apeloi deri te të gjithë partitë politike të japin kontributin e vet që ato të jenë korrekte dhe demokratike.

Shpallja e zgjedhjeve pason pas shpërbërjes së djeshme të Kuvendit, me çka përfundoi mandati i përbërjes së deritanishme të deputetëve, e cila përbërje u zgjodh gjithashtu në zgjedhjet e parakohshme të 1 qershorit të vitit 2008.

“Në fund të ditës së djeshme Kuvendi vendosi se legjitimiteti i subjekteve politike parlamentare duhet të verifikohet nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Apeloj deri te të gjitha partitë politike për përgjegjësi, që secili prej tyre e ka në sigurimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”, tha Veljanoski pas nënshkrimit të vendimit.

Për të është e kuptueshme se partitë politike do të përpiqen të sigurojnë, mbështetje sa më të madhe për qëndrimet e veta. Por, shtoi, njëkohësisht çdo parti politike në periudhën e ardhshme ka mundësi dhe obligim të japë kontribut në krijimin e atmosferës konstruktive edhe në përforcimin e besimit të ndërsjellë.

Veljanoski apeloi për sjellje të përgjegjshme dhe të ndershme dhe kërkoi nga anëtarët dhe simpatizantët e partive politike çdoherë të mbajnë llogari për interesat e përgjithshme të shtetit.

“Vendimi përfundimtar për pranimin e programeve të propozuara politike e japin qytetarët. Në këtë kuptim u bëjë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ta shprehin qëndrimin e vet se kujt duhet t’ia japin besimin dhe mandatin për udhëheqjen e Republikës së Maqedonisë në periudhën e ardhshme”, theksoi Veljanoski.

Zgjedhjet e 5 qershorit janë zgjedhjet e dyta të jashtëzakonshme, ndërsa gjithsej të shtatat parlamentare nga pavarësia e Maqedonisë. Të parat u mbajtën në vitin 1990, ndërsa të dytat në 1994, të tretat në 1998, të katërtat në 2002, të pestat në vitin 2006, ndërsa të gjashtat dhe të fundit në vitin 2008. Këto njëherit ishin edhe zgjedhjet e para të parakohshme parlamentare.

Me aktin e shpalljes së zgjedhjeve përcaktohen edhe afatet e kryerjes së aktiviteteve zgjedhore. Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë, ato shkurtohen për pesë ditë, përveç afatit për zbatimin e fushatës zgjedhore, e cila starton 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, ndërsa përfundon 24 orë para fillimit të votimit.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button