LifeStyle

Bukuria e brendshme që reflekton nga jashtë

Ka marrë oferta të bëjë foto për revistën “GALA” në Francë dhe pret që sukseset do të vijnë edhe më shumë në të ardhmen. Midis shumë ofertave tjera ishte edhe TF1, Secret Story, etj., por Elda Nushi, tashmë ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me “Queen Models Agency”.

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Elda Nushi, është shpallur modelja më e mirë në Belgjikë për vitin 2011. Prej 14 vjetësh jeton atje së bashku më familjen. Emri i saj u shfaq vitin e kaluar duke u lakuar në mediumin e vendit ku jeton, si shqiptarja që sfidoi belget në konkursin e modelimit. Elda vjen nga qyteti i Gjakovës, është 17 vjeçe dhe jeton në Belgjikë.

Elda Nushi krijoi famë të jashtëzakonshme edhe me performancën e saj në videoklipin “Pse T’Fola” të reperit Lyrical Son, ndërsa tani sukseset e saj pos që nuk njohin barriera, nuk po kanë as kufinj

Ne biseduam me të për të na njoftuar më shumë për jetën që bën në Belgjikë, duke qenë vajza me trupin më të bukur, pasionin për modën…

Elda, je shpallur modelja më e mirë në Belgjikë në vitin 2011. Pse keni vendosur të zgjidhni këtë rrugë?
Modelizmi ka qenë gjithmonë dëshirë e imja fëmijërore. Dëgjova për një konkurs të tillë siç është “Top Model Belgium” dhe vendosa të merrja pjesë.

E ke menduar se do të zgjidheshe më e mira?
Të jem e sinqertë, jo, por, normal se u futa në këtë garë për të fituar dhe ja që më zgjodhën më të mirën.

Si të kanë pritur në atë spektakël organizatorët, kur e dinin se ti je shqiptare?
Isha si në shtëpinë time. Pritja ka qenë fenomenale. Për vet faktin që mes qindra femrave unë u zgjodha fituese, do të thotë që në këtë konkurs është cilësuar bukuria dhe jo prejardhja etnike. Për këtë e falënderoj shumë jurinë dhe padyshim organizatorët, që nuk kanë shikuar se nga jam, por kriter kanë pasur bukurinë, duke më përzgjedhur mua për të më dhënë çmimin e më të bukurës, pavarësisht konkurrencës së fortë.

Cili ka qenë komplimenti më i veçantë që ke marrë?
Për mua komplimenti më i mirë që kam marrë deri më tani ka qenë “Bukuria e brendshme po të reflekton edhe jashtë”.

Je “Top Model Belgium 2011”. Të janë hapur rrugët e suksesit?
Sigurisht që po. Tash më duhet të punoj edhe më shumë dhe të përcjell në vazhdimësi trendet e kësaj fushe.

Sigurisht se kanë treguar interes tash edhe shtëpi të ndryshme të modës në Belgjikë.
Midis shumë ofertave ishte edhe TF1, Secret Story, etj, por unë tashmë kam nënshkruar një kontratë dy vjeçare me “Queen Models Agency”.

Mediume të ndryshme belge kanë shkruar për ty. Cili artikull të ka pëlqyer më shumë?
Nuk do të veçoja asnjërën, pasi që të gjitha më kanë pëlqyer. Deri më tani mediumet kanë folur për gjithçka që Elda është në të vërtetë, pa deformime dhe thashetheme. Kjo vërtetë që i pëlqen çdokujt.

Ke marrë ndonjë ofertë që të pozosh për faqen e ndonjë reviste me emër, qoftë në Belgjikë apo në ndonjë shtet tjetër?
Po, kam marrë oferta të bëj foto për revistën “GALA” në Francë dhe pres që sukseset do të vijnë edhe më shumë në të ardhmen. Nuk do të ngutem, ngadalë e sigurt.

Çka do t’i rekomandoje vajzave të bukura që nuk kanë marrë guximin të konkurrojnë në spektakle të bukurisë?
Unë mendoj që modelizmi i përket pasionit. Ka shumë vajza të bukura që nuk bëjnë një hap të tillë, megjithatë një sugjerim nga ana ime nuk do të mungonte për këdo që ka prirje për një fushë të tillë, të mos ngurrojë, të provojë, sepse nuk besoj se do të zhgënjehet, nëse ka besim në vete dhe përkrahje nga familja e saj.

Përveç modelizmit, ju vazhdoni shkollimin e mesëm…
Unë jam ende nxënëse në vitin e fundit të shkollës së mesme, kështu që modelizimi mbetet hapi im i dytë më i rëndësishëm në jetë.

I ke vënë qëllim vetes për të marrë pjesë edhe në ndonjë spektakël që organizohet në Shqipëri apo Kosovë?
Jo, nuk kam ndonjë ide të tillë, preferoj të qëndroj në kategorinë e fotomodelizmit.

Elda, në Belgjikë ke shkuar kur ke qenë tri vjeçe. E viziton shpesh Gjakovën?
Sapo të me jepet rasti, vendi i parë që preferoj të bëj pushime është vendlindja ime. Me dëshirë do e vizitoja edhe më shpesh, por të jesh mërgimtare nuk është gjë e lehtë, pasi që duhet t’i adaptohesh vendit ku jeton. Sidoqoftë, në zemër dhe shpirt e kam Gjakovën dhe gjithë Kosovën.

Çka të pëlqen më së shumti kur viziton Gjakovën?
Jeta rinore është ndër të parat, pastaj vjen gjithçka. Për vendin tim nuk mund të bëj krahasime apo dallime, gjithçka që ka qyteti i Gjakovës për mua është madhështore.

Është Elda e dashuruar?
Hahahahahah, kjo është pyetja që më duhet ta përsëris çdo herë. Jo, nuk jam e dashuruar dhe akoma besoj që kam kohë. Do të vijë edhe ajo ditë.
Çfarë marrëdhënie ke me ushqimin dhe çfarë bën tjetër për të mbajtur trupin në formë?
Unë ende gëzoj të mirat dhe bukuritë që më ka dhuruar natyra, pa pasur nevojë të bëj kujdes të veçantë ndaj ushqimit apo aktiviteteve të tjera që, për mendimin tim, janë të tepruara.

Elda, cilat foto të pëlqejnë më së shumti që t’i realizosh?
Do të veçoja fotot për make up.

Koha e lirë?
Familja, shoqëria, interneti, shëtitjet….

Cili do të jetë angazhimi juaj i radhës?
Si primare, do themi që shkolla është angazhimi im më i madh, dhe për anën e modelingut gjithçka do ia lë kohës.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button