LajmeMaqedoniaPolitika

Patriotizmi i rrejshëm i Ali Ahmetit (Video analizë)

Për gjuhë e për flamur ka folur vazhdimisht kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Me fjalë të zjarrta patriotike e me premtime të llojit: do ta bëjmë, duhet të bëhet, ai ka ndezur zemrat e simpatizantëve, duke i kthyer shumë prej tyre në votues të rregull të partisë, theksohet në një video-analizë të Televizionit ERA, raporton SHENJA.

Ali Ahmeti reagon ashpër kur i thuhet se shqiptarët mund të kenë të drejta të kufizuara për ta përdorur flamurin, por kjo nuk i bën qytetarë të barabartë në Maqedoni. Lideri i BDI-së në momente të caktuara përdor retorikë të ashpër ndaj VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj. Shumë prej militantëve e trumbetojnë Ahmetin si lider legjendar të luftës i cili vazhdon përpjekjet që idealet e dëshmorëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së t’i realizojë edhe në vitet pas luftës së vitit 2001. Megjithatë, përplasja e armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë vulosi të vërtetën se Ali Ahmeti, ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka lënë në gjendje të pashpresë ish-bashkëveprimtarët e tij të idealit. Por, kjo situatë e ka lënë në pozicion të palakmueshëm vet Ali Ahmetin. Atij i është kërkuar të shpjegojë përse nuk i vizitoi banorët e Lagjes së Trimave. “Kam menduar se aty ishte një situatë paksa e tensionuar”, ka deklaruar Ahmeti.

Në fakt, situatat e tensionura kanë shpërthyer edhe brenda subjektit politik të krijuar e të mbështetur në patriotizëm e në vlerat e luftës çlirimtare. Një ushtrues detyre i kryetarit të degës së BDI-së në Likovë, i emëruar personalisht nga Ahmeti, po gjykohet si vrasës i Xhemail Rexhepit, por drejtuesit e BDI-së vazhdojnë të flasin për partinë e tyre të madhe në të cilën ka vend për shprehur lirisht mendimet, pa çka se në vend të fjalëve gjithnjë e më shumë po flasin plumbat.

E ndërkohë, Ali Ahmeti vazhdon të flasë për patriotizëm, ama jo për patriotizmin e flakëve të pushkës. “Patriotizëm sot është që vendi të arrijë të anëtarësohet në NATO e BE. Ju keni thënë se janë lodhur njerëzit me flamur edhe me kërkesa e me përmendore, njerëzit kanë nevojë për dy vakte bukë….Pse ne shqiptarët i bëjmë më të lumtur”, deklaron Ahmeti.

Njerëzit ndihen të lumtur kur kanë mirëqenie ekonomike, por Ahmeti gjen arsyetime kur kritikohet se buxheti i ndarë i diskriminon shqiptarët. “Unë nuk mund ta ndaj buxhetin, ku janë maqedonas dhe ku janë shqiptarë”, vlerëson Ahmeti.

Në momente kritike, i gjendur përballë kritikave për dështimin e realizimit të plotë të kërkesave të shqiptarëve për respektimin e identitetit kombëtar, Ali Ahmeti e pranon dështimin. “Vërtetë, këtu ka ndodhë një katrahurë, një gjamë e madhe sepse shqiptarët nuk përfillen, nuk llogariten si qytetarë të këtij vendi”, thekson Ahmeti.

E për të dalë nga situata kreu i BDI-së e përdor një ëndërr tjetër, shtetin multietnik. Ai e pranon se është luftëtar i madh i këtij misioni. “Po, kjo më mban mua që të rij ne politikë….Dhe unë do të përgjigjem sinqerisht, kam nisur për Shqipëri, por e kam kuptuar se ajo Shqipëri e ëndërruar nuk bëhet”.

Por, Ahmeti kritikohet se edhe në lojën e shtetit multietnik shqiptarët janë thjesht për dekor. “Nuk më vjen mirë që shqiptari të thotë për veten se është fasadë”, thotë ai. Vërtet, Ahmeti nuk do të duhej të ndihej mirë për shqiptarin e fyer që është thjeshtë një fasadë ku hidhen fyerje.

Por, e keqja më e madhe është se fyerjet nuk vijnë vetëm nga partnerët qeveritarë të BDI-së. Por, Ali Ahmeti gjithnjë gjen fjalë për ta ngushëlluar veten e për t’u bërë premtime qytetarëve. “Maqedonia është mirë dhe do të bëhet edhe më mirë”.

Show More

Related Articles

Back to top button