Islam

Enesi, 16-vjeçari shqiptar që di përmendësh 600 faqet e Kuranit

Mban në kokë një takije të bardhë, është 16 vjeç, nxënës në vitin e parë në Medresenë e Tiranës. Di përmendësh të 600 faqet e Kuranit, nga faqja e parë e deri tek e fundit dhe rezulton i vetmi me këtë dituri në Shqipëri. Por shprehet me modesti se do të donte të kishte edhe të tjerë si ai.

Një ftesë e ardhur në Komitetin Mysliman, nga Kuvajti, ka bërë që Enesi të jetë i përzgjedhuri për të shkuar të konkurrojë atje, në datat 11 deri në 18 prill. Për herë të parë, vendi ynë çon një përfaqësues të vetin në këtë konkurrim.

Besimi? I ngulitur nga familja…

Në bisedë më të, ai na tregon se fenë e ka të trashëguar nga familja. Mësimet e para të Kuranit i ka marrë që në moshë të vogël. Kujton se ka qenë 5 vjeç kur ka shkuar për herë të parë me të atin në Turqi, atje ka marrë disa CD, ku kanë qenë të regjistruara pjesë nga libri i shenjtë i myslimanëve. “I dëgjoja nëpër shtëpi dhe arrita t’i fiksoja shumë shpejt. Por, sigurisht që nuk e kam mësuar vetëm duke e dëgjuar, por dhe duke e lexuar”,- tregon Enesi. Në moshën 7- vjeçare, ka përfunduar procesi i të mësuarit përmendësh. Nga ajo kohë, ai  rilexon atë çdo ditë, dhe përsërit… “Sepse harrohet”.

S’e ndan Kuranin nga shkenca…

Nuk është i mirë vetëm në Kuran, është nxënës i dhjetës dhe në lëndë të tjera. Në Medrese pohojnë se është nxënësi më i mirë i vitit të parë. “Sot myslimanët kritikohen që nuk kanë njohuri në fusha të tjera, por unë nuk dua të jem pjesë e këtyre kritikave dhe për këtë arsye pretendoj të jem i mirë në disa fusha. Feja në të vërtetë i pasqyron edhe lëndët shkencore. Tani kritikohet që feja është kundra shkencës, por në të vërtetë feja është një me shkencën”, – thotë i riu. Ndërsa flet, nuk të sheh në sy, por është i rrjedhshëm dhe i sigurt në ato që thotë. E ka gjithmonë një përgjigje.

Shkolla ku ai studion është vendi ku kalon pjesën më të madhe të ditës, e më pas është leximi e përsëritja e Kuranit.  Është i lumtur me zgjedhjen që ka bërë. As takija që mban mbi kokë nuk e bën atë të ndihet ndryshe nga bashkëmoshatarët e tjerë.

Kur e pyesim Enesin se çfarë ndryshimi ndjen të ketë me bashkëmoshatarët, para se të përgjigjet, shprehja e tij e fytyrës tregon se nuk do të japë përfundime. “Nuk dua të kritikoj”, – thotë duke nënkuptuar që ka kritika për të bërë…

Enes, a ndjen ndryshim me bashkëmoshatarët? Si i vlerëson ata?

Nuk dua të kritikoj…  Kuptimi i jetës është bërë më tepër material tani. Nuk e dinë që shpirti do edhe një stërvitje. Duhet një edukim shpirtëror, se në të vërtetë jeton shpirti dhe jo trupi. Njerëzit shpesh i kushtojnë më shumë vëmendje këtij të fundit. Debatoj me bashkëmoshatarët e mi, por jo duke kaluar në fjalë banale. Çdo njeri ka idetë e tij dhe shkon në bazë të tyre.

Çfarë mendon kur sheh dikë me tatuazhe në trup për shembull?

Në fillim mund të mendosh keq, por unë prirem ta shoh pak më gjerë. Edhe mua disa njerëz më kritikojnë, duke më thënë, pse mban takije. Megjithatë, në rastin e tatuazheve është pak problem, sepse në të vërtetë ato krijojnë dëme.

 Por për një vajzë që ecën rrugës me të shkurtra?

Nuk mendoj se është nevoja që vajzat të ekspozohen aq shumë. Një djalë për shembull nuk del i zbuluar me pantallona të shkurtra, pse!? Thjesht sepse kjo nuk është normale. Besoj se njeriu duhet ta ruajë ndjesinë e turpit.

Si e ngacmon, një djalë mysliman, një vajzë?

Kjo nuk ndodh.

Çfarë është Kurani për ty?

Për mua Kurani është jeta, duhet lexuar me një largpamësi shumë të madhe dhe duhet kuptuar. Nëse ai lexohet me thellësi, atëherë aty mund të gjesh shumë përgjigje. Unë për vete disa prej tyre i kam gjetur aty, por ka edhe të tjera që kërkojnë një pjekuri më të madhe. Kurani është një libër për shumë kohëra, si në të shkuarën, të tashmen dhe në të ardhmen. Për shembull, siç është ky diskutimi për fundin e botës. Në Kuran thuhet se, atë e di vetëm Zoti dhe askush tjetër. Nuk mund ta parashikojmë ne njerëzit.

****

Si është dita e një 16 vjeçari si Enesi

Xhami, lexim, kafe

Dita e Enesit nuk është e njëjtë si e shumë 16-vjeçarëve në kryeqytet. Por kjo gjë nuk e shqetëson atë dhe është në paqe me veten dhe me zgjedhjet që ka bërë. “Shkoj në xhami, kam miq, kryesisht i kam më të mëdhenj. Dal dhe në kafe. Kam një jetë normale, pastaj i kushtoj kohë leximit duke filluar që nga Kurani, se po e le të lë, – është një shprehje”.

Ftesa në Kuvajt, për çfarë bëhej fjalë

Konkurrimi zgjati 7 ditë. Shqipëria ishte një nga 56 shtete pjesëmarrëse. Aty konkurrohej në tri kategori. Kategoria e parë ishte: Kurani përmendësh (ku bënte pjesë edhe Enesi). Një tjetër ishte leximi i Kuranit, një pjesë. Kategoria tjetër ishte; Kurani përmendësh me shtatë lloje leximesh. Enesi nuk ishte ndër 5 fituesit por shprehet i kënaqur me pjesëmarrjen.

Mësuesi për Enesin

Enesi është nxënësi më i mirë që kemi në Medrese. Për këtë arsye ka qenë i privilegjuar, për shembull te takija. Shkolla ka uniformën e vet, por djali që nga mosha e vogël nuk e ka hequr atë.  Edhe pse nuk lejohet, atij i është dhënë mundësia ta mbajë, pasi është një nga nxënësit më të talentuar në shkollë dhe ka një dhunti të jashtëzakonshme, që ia ka dhënë Zoti.

Profesor Lauren Luli: Medreseja me 430 nxënës jo me domosdo myslimanë

Profesor Laureni jep lëndë fetare në Medresenë e Tiranës dhe na tregon se në të janë 430 nxënës. Raporti femra meshkuj është gati-gati gjysmë për gjysmë. Nëse më parë kishim krijuar idenë se aty shkojnë vetëm ata që janë të besimit mysliman e kemi menduar gabim. Profesori na tregon se nuk është aspak e thënë. Ai na në shkollë edhe nxënës të krishterë, të cilët në orë të mësimit bëjnë pyetjet për raportet e fesë së tyre me atë mysliman dhe kjo shihet si një gjë normale në këtë shkollë. Nuk është gjithçka ashtu siç perceptohet nga jashtë, sikur këtu nxënësit jetojnë të mbyllur, si në “burg” jo. Nxënësit kanë lirinë e tyre. Krahas lëndëve fetare këtu punohet shumë edhe për ato shkencore, për shembull, tani kemi dërguar dy nxënës në Amerikë, të cilët konkurrojnë atje me një projekt në fizikë, shpresojmë të na vijnë me çmim.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button